Dissinovate - Blog

Për një program radikal punësimi

Sot në mëngjes po lexoja këtë artikullin, i cili na jep një tablo depresionuese mbi gjëndjen e tregut të punës në Shqipëri dhe produktivitetin e ekonomise sonë. Punëtorët shqiptarë punojnë mesatarisht 2102 orë në vit, shifër qe na bën ndër shtetet me orët më të gjata të punës në Evropë, por dhe me produktivitet mjaft të ulët. Mirëpo ç’do të thote 2102 orë në vit? Sa do duhet të punonim ne rast se nuk do shfrytëzoheshim kaq shume? Dhe çfare do fitonim nëse do punonim më pak? Vendosa të bej disa llogari te thjeshta (mbase më të thjeshta se ç’duhet), dhe ja ku jane:

1 vit ka 52 javë, 4 prej të cilave, sipas Kodit te Punës të Republikës së Shqipërisë (neni 92), punetori mund t’i gëzoje si pushim të paguar. Çka ne lë me 48 javë pune në vit. Në kalendarin e festave zyrtare numerohen 14 ditë të tilla (në rastin kur nuk kemi mbivendosje festash), të cilat teorikisht duhet të jenë ditë pushimi, dhe në rastin kur bien në fundjavë, pushimi shtyhet të hënën (Kodi i Punës, neni 86). Kjo do hiqte edhe dy javë të tjera pune, dhe mbetemi me 46 javë pune në vit. Me një kohëzgjatje normale të javës së punës, që prapë sipas Kodit te Punës (neni 83) është 40 orë, do kishim:

40 orë/jave * 46 javë/vit = 1840 orë/vit

Pra 2102 - 1840 = 262 orë më shume kohë e lirë në vit, sikur të respektonim me rigorozitet Kodin e Punës, të cilat punëtori do mund t’i shfrytezojë si të dojë. Shumë bukur, apo jo? Ka dhe më shumë: Këto 262 orë, nëse supozojmë se të gjitha janë aktivitet ekonomik produktiv, do duhet të bëhen nga dikush eventualisht, pra krijohet një kërkesë për krah pune. Nëse në Shqiperi janë, sipas Instat, 1043058 të punesuar (më falni për statistiken e vjetër po nuk po gjeja dot më të re) do kishim:

1043058 punëtorë * 262 orë/punëtor = 273281196 orë pune në vit,

punë që duhet bërë, në një mënyrë apo një tjetër. Nëse i pjestojmë me orët vjetore të punës së një punëtori (idealisht 1840, sic e llogaritëm më sipër) marrim:

273281196 orë/vit : 1840 orë/punëtor*vit ≅ 148522 punëtorë,

pra afërsisht do duhen 148522 punëtorë për të kryer këtë sasi pune, që do të thotë 148522 vende të reja pune. Pra me një masë kaq minimale, sa detyrimi i punëdhenesve për të respektuar orët e punës dhe pushimet e vendosura me ligj, mund të krijohen deri në 148522 vende të reja pune.

Ok, shifra është pak e fryrë dhe spekulative, se jo cdo punë përbën aktivitet ekonomik produktiv, dhe as unë nuk jam ekspert ekonomie dhe llogaritjet e mia mund të kenë difekte apo faktorë qe nuk i kam marrë parasysh. Për shembull, shkurtimi i orëve në një institucion shtetëror, që me përkufizim harxhon para dhe nuk prodhon gjë, nuk do lindte nevojën e personave shtesë për të zëvendesuar orët. Dhe ndoshta edhe disa kompani private do mund thjesht të zvogelonin aktivitetin e tyre ekonomik, të riorganizohen në menyra më efiçente, ose të investonin në teknologji të reja që do rrisnin produktivitetin e punës dhe do e bënin të panevojshëm punësimin e punëtoreve shtesë (por hej, do na bënin më produktiv!), ose thjesht do falimentonin, çka s’duhet të na merzisë sepse tregon që ishin kompani joefiçente që nuk i mbijetojnë dot as një ndryshimi kaq minimal të tregut. Në cdo rast, efekti i kufizimit të orëve punës është i qartë: punën që ti do bëje gjatë orëve shtesë do duhet ta bëjë dikush tjetër. Dhe kjo do të thotë më shumë të punësuar.

Për më tepër, 40 orë punë në javë është standard i vjetër, histori e shekullit të shkuar. Mund të punojmë dhe më pak se aq…